Më 18 dhe 19 Maj 2023, u mbajt Konferenca Ndërkombëtare “Shëndeti Mendor në Shkolla – Intervenimet e Bazuar në Evidencë,” e organizuar nga Departamenti i Psikologjisë – UP. Gjatë kësaj konference, ekspertë vendas, rajonalë dhe ndërkombëtarë prezantuan rezultatet e hulumtimeve të fundit për shëndetin mendor në shkolla.
Shoqata e Psikologëve Shkollorë të Kosovës paraqiti gjetjet nga hulumtimi mbi vlerësimin e nevojave profesionale të psikologëve shkollorë në Kosovë, në bashkëpunim me Institutin e Psikologjisë dhe Departamentin e Psikologjisë – UP.
Po ashtu, në bashkëpunim me Shoqatën e Psikologëve të Terapisë së Njohjes dhe Sjelljes të Kosovës, u paraqit një studim rasti mbi intervenimin aplikativ të Terapisë së Njohjes dhe Sjelljes (CBT) në trajtimin e fëmijëve me probleme agresioni.
Gjatë panelit me mysafirë nga MAShT, DKA, dhe SHPSHK, u diskutua për sfidat që përballen psikologët shkollorë dhe për mënyrat e adresimit të këtyre sfidave në institucionet përkatëse. 🏛️
Jemi mirënjohës ndaj Departamentit të Psikologjisë dhe Institutit të Psikologjisë për mbështetje dhe përkushtim në promovimin e rolit të psikologëve shkollorë, duke kontribuar në zhvillimin profesional dhe ngritjen e kompetencave për punën shkencore dhe praktike të psikologëve shkollorë.