Takimi vjetor i psikologëve shkollorë – Lansimi i dokumenteve të unifikuara për praktikat profesionale

Me datën 21 Nëntor 2024 në ambientet e Fakultetit Filozofik, UP, u mbajt takimi vjetor i psikologëve shkollorë, organizuar nga Shoqata e Psikologëve Shkollorë të Kosovës. Në këtë ngjarje të rëndësishme, u lansuan dhe prezantuan 17 dokumente pune të unifikuara, të hartuara për të lehtësuar dhe standardizuar praktikat profesionale të psikologëve shkollorë.

Dokumentet u shqyrtuan dhe u diskutuan një nga një nga pjesëmarrësit, duke mundësuar reflektime dhe rekomandime të dobishme për zbatimin praktik të tyre. Përveç kësaj, gjatë takimit u trajtuan edhe tema të tjera të rëndësishme që lidhen me sfidat dhe përgjegjësitë e profesionit, si dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj fushe.

Në takim morën pjesë rreth 80 psikologë shkollorë nga 24 komuna të Kosovës, duke ofruar një platformë të vlefshme për shkëmbimin e ideve dhe përvojave profesionale.
Shoqata e Psikologëve Shkollorë të Kosovës mbetet e përkushtuar në mbështetjen e psikologëve shkollorë dhe në përmirësimin e shërbimeve psikologjike në shkolla, duke kontribuar në mirëqenien psikologjike dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve tanë.