Shoqata e Psikologëve Shkollorë të Kosovës është e lumtur të ndajë me ju lajmin për nënshkrimin e kontratës për zbatimin e projektit “Qasje e Integruar për Promovimin e Shëndetit Mendor në Shkolla”, me mbështetjen e çmuar të Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës.
Ky projekt dyvjeçar do të zbatohet në komuna të ndryshme të Kosovës dhe ka për qëllim forcimin e mbështetjes psikologjike në shkolla dhe përmirësimin e mirëqenies emocionale të nxënësve, përmes këtyre komponentëve kryesorë:
√ Krijimi i Klubeve të Shëndetit Mendor në shkolla, ku nxënësit do të angazhohen si “Ambasadorë të Mirëqenies”, të udhëzuar nga një manual edukativ i hartuar nga ekspertë të fushës dhe të mbështetur nga psikologët shkollorë të trajnuar.
√ Organizimi i takimeve informuese me prindër, për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e shëndetit mendor dhe për të forcuar bashkëpunimin midis familjes dhe shkollës në mbështetje të fëmijëve.
√ Trajnimi i 100 psikologëve shkollorë nga komuna të ndryshme në Terapinë Kognitive dhe të Sjelljes (CBT), përmes një programi të akredituar dhe manuali profesional, i cili fokusohet në ndërhyrje efektive për fëmijët dhe adoleshentët me çrregullime të ankthit.
Ky projekt paraqet një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një mjedisi shkollor gjithëpërfshirës, të shëndetshëm dhe mbështetës për të gjithë nxënësit.